
Me kënaqësi kisha konfirmuar pjesëmarrjen në eventin e organizuar një të shtunë dhjetori nga Easy Pay dhe NAWE për të kaluar një pasdite ndryshe në një nga vendet më trendy aktualisht në Tiranë, Destil Hostel, që ndonëse e kam fare pranë shtëpisë sime, nuk më kishte rënë rasti të shkoja.
Të dalësh pas dreke, në një të shtunë dimri kur shiu nuk ka të pushuar, nuk është aq komode dhe realisht e mendova dy herë, por në fund u ndjeva e kënaqur që e bëra. Një ambient i ngrohtë, frymëzues, me biseda miqësore, çaj dhe ushqim bio ishte ajo çfarë kishte rezervuar kjo pasdite në Tiranën e mbuluar nga shiu.
Padyshim që ne gratë dimë të bëjmë atmosfere kudo që jemi, por ajo çfarë e beri këtë pasdite me mbresëlënëse ishte e ftuara speciale, Madi Sharma. Një grua indiane, me të cilën jeta nuk ishte treguar aq bujare por që me një forcë të admirueshme kishte marrë në dorë fatin e saj për ta shndërruar në një fuqi financiare, mbështetëse e frymëzuese për shumë gra të tjera në botë.
Madi Sharma ishte e drejtpërdrejtë, pa emocione, me zë të plotë e të fortë i drejtohej një auditori që ishte aty kryesisht për të, duke i transmetuar mesazhe vetëbesimi, mundësie, force për të cilat kanë aq shumë nevojë vajzat e gratë e reja. Nuk është aspak e thjeshtë që një grua e vetme të jetë e sukseshme në biznes dhe kjo jo vetëm në këtë vendin tonë kaq maskilist dhe dyshues karshi grave, por edhe në vendet më të zhvilluara në botë.
“Duhet të jesh ndryshimi që dëshiron të shohësh – Asnjë justifikim” – ishte motoja e saj. Madi përfaqësonte brandin e saj me idenë që nëse “Versace” dhe “Gucci” mund ta bëjnë, edhe unë mund ta bëj!! Në këtë mënyrë ajo mbështet filozofinë e krijimit të ideve inovative me angazhim lokal, brenda një qyteti, vendi, të cilat mund të zhvillohen në ide me impakt global për një shoqëri të qëndrueshme. Për ta bërë këtë ndikim edhe më të prekshëm, Madi kishte sjellë idenë e shpërndarjes së një rruaze të thurur si kujtesë përkushtimi ndaj një ideje TANI për çdo qytetar në botë. Ishte interesante të dëgjoje se si një prej vajzave pjesëmarrëse ndau përvojën e saj me këtë rruazë në portofolin e saj prej një viti, me bilancin: tema e masterit e përfunduar!
Fjalët e Madit vinin të sinqerta, gati gati vërtetë të bënin të besoje që nëse një grua indiane, e divorcuar, me dy fëmijë, e dhunuar në familje, ia kishte dalë atëherë çdokush mund t’ia dalë. Jeta e saj nuk kishte qenë e lehtë, e ndrydhur që nga prindërit të cilët i kishin refuzuar të drejtën e shkollimit pasi detyra e saj ishte të martohej e të bënte fëmijë e më pas nga burri i cili e abuzonte edhe në sy të fëmijëve, e kishin bërë këtë grua të re të prekte fundin, të dergjej në të e të kishte vetëm një mundësi për të jetuar, por vetëm një: Të ngjitej lart ose të vdiste! Dhe ajo zgjodhi që vetëm të Ngjitej!
Shiu nuk reshti së rëni gjatë gjithë pasdites dhe ndërsa jashtë dëgjoheshin reshjet e furishme, brenda në Destil Hostel një grup vajzash e grash në karrierë e në biznes dëgjonin me vëmendje eksperiencen e jetës së kësaj gruaje të fortë, si një shembull i fuqisë mendore e shpirtërore që çdo grua e ka në vete, por që duhet ta nxjerrë, ta besojë e të ndjekë me vullnet e pasion idetë dhe ëndrrat e saj.
Madi Sharma e nisi biznesin e saj të parë nga kuzhina e shtëpisë, si nënë e vetme e dy vajzave, duke e ngritur atë me besim e përkushtim në dy fabrika të mëdha me 35 punonjës, për të vazhduar më tej duke marrë çmime ndërkombëtare dhe duke u përzgjedhur si “Best Boss” në Angli.
Nëse Madi Sharma mundi ta bëjë – çdokush mund ta bëjë!!